Me apo pa Halandin e Pogbanë, Man. Junajtid jep shpresë, madje shumë!

Le të mos vijë sulmuesi i “shenjuar nga fati”, le të largohet edhe kampioni i botës, Mançester Junajtid duket si një sahat të cilit zemreku më në fund po i punon siç duhet. Erling Haland dhe Pol Pogba janë të shkëlqyer, por për ata nuk “zuri meraku” askënd, pasi në fushë për “djajtë e kuq” ishin të rinj si Brandon Uilliams, Daniel Xhejms, Andreas Pereira dhe Markush Rashford. Ishin këta që bënë diferencën në fitren 2-0 në fushën e Bërnlit, një sukses që e ngjiti Junajtidin mbi Totenhemin e Murinjos në renditjen e Premier Ligës, dhe 1 pikë pas Çelsit të Frenk Lampardit, që mban vendin e katërt në zonën Champions.

Përveç tyre, trajneri Solskjer kishte në fushë edhe mesfushorin e dalluar (tashmë) Fred, sulmuesin tjetër Antoni Marsial, portierin De Gea apo mbrojtësin e qendrës së Anglisë, Megajer. Marsial dhe Rashford ishin autorët e golave, në një fitore të merituar, por të vështirë. Junajtidi e mbajti topin 68 për qind, gjuajti 14 herë (8 Bërnli) dhe 5 herë në portë (1 Bërnli).

“Në pjesën e parë ne ishim shumë mirë, – tha Solskjeri, – e kontrolluam dhe e dominuam, por e dinim se pas pushimit do ta kishim më të vështirë, pasi Bërnli u hodh në sulm. Gjithsesi u mbrojtëm mirë. Është shumë mirë kur nuk pësojmë gol, është ndryshe dhe na jep besim se mund të marrim rezultate edhe në ndeshje të  vështira. Kur nuk pëson gol ke më shumë shans që të fitosh. Lojtarët dhanë përgjigje, ata po mësojnë”.

Sfidanti.al