Sulmuesi shqiptar Lorent Tolaj po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij në EFL League One, duke u kthyer në një nga emrat më të spikatur të kampionatit. Në fundjavën e kaluar, Plymouth Argyle mori një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Port Vale, ku Tolaj kontribuoi me një asist për golin e parë dhe një paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë ndeshjes. Statistikat e tij këtë sezon janë mbresëlënëse: 16 gola dhe 6 asiste në kampionat, ndërsa në total numëron 21 gola në të gjitha kompeticionet, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme.
Paraqitjet e forta kanë rritur ndjeshëm interesin për sulmuesin shqiptar. Sipas raportimeve, gjatë merkatos së verës pritet një garë e fortë për kartonin e tij, me disa klube nga EFL Championship që e ndjekin nga afër, si dhe interes konkret nga Celtic FC. Me këtë ritëm, Tolaj duket i destinuar për një hap të madh në karrierë, ndërsa e ardhmja e tij pritet të jetë një nga historitë më të nxehta të merkatos verore.
sfidanti.al

