Skema ishte e ndryshme, lodhja e madhe dhe mungesat të rëndësishme. Liverpuli, gjithsesi, ia doli të merrte një fitore të “shëmtuar” ndaj Uest Hemit në “Anfild”, në Premier Ligën angleze, duke u kthyer në pretendime të paktën për zonën Champions. Përsa i përket titullit, i takon Arsenalit e Man. Sitit të bëjnë gabimet e tyre që të kuqtë të kenë sërish shpresa. Një gol “i vogël” i Daruin Nunjezit në 22’ ishte i mjaftueshëm për tri pikët, por edhe heroizmi i portierit Alison që ndaloi penalltinë e londinezëve në fund të pjesës së parë.
“Faleminderit bir, ti na shpëtove”, ishin fjalët e Jurgen Klopit për gardianin e tij brazilian në përfundim të duelit të vështirë. Edhe pse Liverpuli pati epërsi në zotërim topi, dhe në gjuajtje (14-5 gjithsej, 6-1 në kuadrat), sërish Uest Hemi i Dejvid Mojesit pati 3-4 raste përfshi edhe penalltinë. Për fat të keq nuk shënoi. Për vendasit, Konate dhe Matip janë të dëmtuar, e Robertson e Fabinjo u lanë në stol. Liverpuli ka 16 pikë pas 10 ndeshjeve, në vend të 7-të dhe 4 pikë prapa Çelsit të vendit të katërt, pra larg zonës Champions.
Sfidanti.al