Lista e Kombëtares, risi dhe rikthime

Kur jemi në prag të nisjes së kualifikueseve për ‘Botërorin 2026’, që këtë edicion do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, ‘ethet’ për përballjen e parë ndaj Anglisë sa vijnë e shtohen. Më 21 mars, Kombëtarja ‘kuqezi’ do të zbresë në fushën e blertë të mitikut ‘Wembley’, për të nisur kështu këtë rrugëtim eliminator. E pikërisht këto ditë trajneri Silvinjo pritet të bëjë publike edhe listën me lojtarët e grumbulluar për dy përballjet e marsit, atë ndaj ‘3 luanëve britanik’ dhe Andorrës.

Pritet që Silvinjo të surprizojë me emrat, duke bërë që kjo listë të ketë risi. Për herë të parë, ekipin kuqezi pritet ti bashkohet mesfushori i Malishevës, Etnik Brruti. Kjo lëvizje e 21-vjeçarit nga skuadra dardane drejt asaj kuqezi ka bërë edhe një bujë të madhe në Kosovë.

Ndërkohë, një rikthim në Kombëtare pritet të jetë ai i Anis Mehmetit. 24-vjeçari po kalon një formë mjaft të mirë në Angli me Bristol City-n, duke realizuar 12 gola dhe 1 asiste, në Championship.

Sakaq, mësohet se zyrtarë të FSHF-së janë në bisedime me sulmuesin e Lazios, Arijon Ibrahimoviç, që aktualisht është pjesë e Gjermanisë së U-20-vjeçarëve dhe që kartonin e tij e zotëron Bayern Munich.

Gjithashtu pjesë e listës së futbollistëve të thirrur nga Silvinjo pritet të ketë emra edhe nga Superliga shqiptare, ku ndër emra e përfolur janë portieri Dajsinani, Ujka, Hadroj apo Rrapaj. Por ndërkohë, Kombëtares do ti mungojnë emra si Armando Broja, Indrit Tuci e Elseid Hysaj për shkak dëmtimesh, ndërsa në dyshim janë ende Ardian Ismajli, Mario Mitaj dhe Rey Manaj.

Në kampin britanik ndërkohë, këtë të premte tekniku Thomas Tuchel do të publikojë listën, që do të ketë të gatshëm për sfidën debutuese kundër Shqipërisë. Rreth 55 lojtarë kanë qenë në ‘lupën’ e trajnerit gjerman, i cili i ka vëzhguar me kujdes në këtë periudhë, por vetëm gjysma prej tyre do të gjejnë vend në listën finale.

sfidanti.al