Media angleze publikon një lajm bombastik, sipas të cilit objektiv nr.1 i politikës së transferimeve të Mançester Sitit për sezonin e ardhshëm do të jetë sigurimi i shërbimeve të mesfushorit sulmues të Celsit, Eden Azar. Sikurse dihet, Siti nuk arriti të sillte në radhët e veta sulmuesin e Arsenalit, Aleksis Sançez, që përfundoi te Mançester Junajtidi gjatë këtij sezoni dimëror, kështu që Pep Guardiola, tani, ia ka vënë syrin një ndër lojtarëve më të mirë të Premier Ligës, Eden Azar.
Emri i Azarit, njëfarë kohe, u lidh me Realin e Madridit, ndërsa u tha se, për këtë shkak, ai refuzoi që të nënshkruante vazhdimin e kontratës me Celsin. Sidoqoftë, Guardiola do të përpiqet që t’ia mbushë mendjen Azarit që ai të qëndrojë në Angli dhe të vijë në “Etihad”. Megjithatë, është pak e vështirë që të besohet se Celsi do të lejojë largimin nga radhët e veta të lojtarit të tij më të mirë, por media “ishullore”, sidoqoftë, shkruan se Siti ka ndarë për Azarin 150 milionë sterlina të pabesueshme.
Sfidanti.al