Tifozët kanë kthyer shpinën, por Rejës i intereson shumë fitorja me Estoninë!

Për tifozët duket si një ndeshje që nuk vlen, por është ndryshe. Ka shumë pak interesim për miqësoren e sotme të kombëtares ndaj Estonisë edhe pse luhet në “Arenën Air Albania” në orën 18:00. Disfata me Izraelin, që erdhi pas barazimit në Islandë bëri që publiku i futbollit të zhgënjehet e dekurajohet e të mendojë se kemi humbur gjithçka, ndonëse ringritja mund të fillojë nga sot. Trajneri Edi Reja do të hedhë në fushë një ekip të ndryshuar, në kërkim të fitimit të alternativave, ndërsa miqësorja vlen për t’u përgatitur sa më mirë për 2 sfidat e mbetura në grup në Ligën e Kombeve.

I sigurt rotacioni në portë pas largimit edhe të Berishës, dhe Selmani duket favorit ndaj Kastratit. Në mbrojtje priten Mihaj, Hoxhallari dhe Adrian Bajrami, ndonëse ka një mendim edhe për Veselin. Në mesfushë mund të vijë radha e Çokajt dhe Haverit, edhe pse Reja mund të mendojë sërish për Abrashin apo Lenjanin e Hysaj në krahë. Kapiteni mund të jetë i detyruar të bëjë një sakrificë e të luajë sërish, nëse Reja nuk gjen mundësi tjetër. Në sulm, është thuajse i sigurt dhe krejt i natyrshëm debutimi si titullar i Xhakomo Vrionit, Këpucës së Artë të Bundesligës austriake, që mund të provohet në dyshe me Brojën.

Formacioni i mundshëm: Selmani Mihaj Veseli (A. Bajrami) Hoxhallari Hysaj Çekiçi Ramadani Abrashi (Çokaj) Lenjani (Haveri) Broja Vrioni.

Sfidanti.al