Një fytyrë e njohur do të gjykojë Kosovën me Turqinë

Ndeshja e katërt kualifikuese për Kosovën në Eliminatoret për Botërorin 2018 është ajo ndaj Turqisë në stadiumin e Antalyas këtë fundjavë. Si për ironi të fatit një arbitër që drejtoi muajin e kaluar kombëtaren shqiptare të futbollit caktohet nga UEFA për ekipin tjetër shqiptar jashtë kufijve administrativë.
UEFA ka përcaktuar që ndeshja Turqi-Kosovë të drejtohet nga gjyqtari hungarez, Tamas Bognar, i cili për asistent do të ketë dyshen, Balazs Buzas dhe Zsolt Varga. Bognar së fundmi ka gjykuar sfidën mes të Lihtenshtejnit dhe Shqipërisë e luajtur më 6 tetor në Vaduz, e cila u mbyll me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 2:0.

Sfida ndaj turqve paraqet një shkallë të lartë vështirësie për ekipin e trajnerit Bunjaku, pa pretendime kualifikimi për në botëror dhe në kontrast me vendasit që synojnë një biletë direkte. Ky takim do të zhvillohet në orën 18:00, ditën e shtunë.

Ndërkohë ka probleme me dëmtimet për ekipin vendas. Qendërmbrojtësi turk, i cili aktualisht luan për Bayer Leverkusen-in, Omer Toprak, është larguar nga lista e lojtarëve të ftuar nga Fatih Terim për ndeshjen me Kosovën. Toprak ka qenë pjesë e formacionit në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror, respektivisht ndaj Islandës dhe Ukrainës.