Kombëtarja më e dobët e botës regjistron rekordin historik

Përfaqësuesja e San Marinos e mbylli fazën kualifikuese për në Euro 2024 me dhjetë humbje në dhjetë ndeshje, por arriti një sukses historik. Në tre ndeshjet e fundit kualifikuese, San Marino ka shënuar nga një gol, gjë që nuk ka arritur ta bëjë kurrë më parë. Pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj Danimarkës dhe humbjes 3-1 ndaj Kazakistanit, pasoi një ndeshje në shtëpi kundër Finlandës dhe në fund pati gëzim pavarësisht humbjes. Finlanda po fitonte 2-0 deri në minutën e 97-të dhe më pas San Marino arriti në mënyrën më të ëmbël një sukses historik, ndeshjen e tretë radhazi me gol të shënuar. Në minutën e 97-të, Berardi realizoi nga një goditje dënimi, me të cilën nisi festën e madhe. San Marino ka luajtur 194 ndeshje dhe ka fituar vetëm një herë, në një miqësore kundër Lihtenshtejnit në 2004.

 

sfidanti.al