Kolela sërish mbron deklaratën që “tërboi” Partizanin: Nuk jemi për titull!

E cilëson edhe vetë një moment shumë të vështirë. Nuk mund të jetë ndryshe për Partizanin që shkon këtë të hënë në Ballsh për ndeshjen ndaj Bylisit, ndërsa rezultatet kanë qenë mjaft negative. Trajneri Xhovani Kolela me shumë gjasë rrezikon stolin në rast të një tjetër humbjeje, ndërsa vlerëson momentin. Një tjetër humbje mund të jetë fatale për teknikun italian.

“E ardhmja ime nga ndeshja e nesërme? – thotë ai, – Këtë pyetje nuk duhet të ma bëni mua. Unë nuk do ta marrë si një ndeshje deçizive. Unë jam i qetë, vazhdoj të bëj punën time, pastaj për pjesën tjetër nuk më takon mua të jap një përgjigje”. Kolela e mbrojti deklaratën e tij të mëparshme se nuk e sheh Partizanin si kandidat për titull.

“Mendoj se e vetmja gjë reale dhe e qartë janë statistikat, – thotë ai, – Në kaq vite unë nuk kam parë një skuadër që në 5 ndeshje të grumbullojë 2 pikë dhe të jetë në luftë për titullin kampion. Nuk ka gjë më të vështirë për një futbollist sesa të synojë objektivat që ai nuk ka mundësi t’i realizojë. E kemi vlerësuar momentin duke qendruar me kokën ulur dhe këmbët në tokë. Me këtë përulësi kemi punuar për të marrë pikët në të ardhmen, duke parë dhe gjendjen e skuadrës”.

Sfidanti.al