Debutimin e bëri në 16 janar të vitit të kaluar, por tani ka ardhur koha për t’u përshëndetur. Taulant Seferi, i ardhur nga Zvicra tek Tirana, rezultoi një përforcim i shkëlqyer për kryeqytetasit, të cilët duan të përfitojnë diçka nga kartoni i tij përderisa e kanë ende nën kontratë. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut pritet të largohet këtë verë nga bardheblutë, ndërsa ofertat për të nuk mungojnë. Më seriozja, sipas “Panorama Sportit”, është ajo e Vorsklës së Poltavës nga Ukraina, e cila jep 500 000 euro për klubin shqiptar dhe një rrogë të lartë për futbollistin, ndonëse nuk dihet se çfarë do të ndodhë me kampionatin ukrainas për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë.
Për Seferin padyshim që ka edhe oferta të tjera nga vende të ndryshme të Europës. Sulmuesi 25-vjeçar pati një sezon në nivel të lartë në Superligë në 2021-2022, duke shënuar 19 gola e duke fituar edhe titullin kampion. Forma mjaft e mirë për Tiranën e ndihmoi të bindë trajnerin Edi Reja dhe të kthehet në kombëtare. Për kampionët nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet një lojtar i tillë, i cili ishte padyshim më i miri i kampionatit edicionin e kaluar, dhe kjo mund të ndikojë në paraqitjen e këtij sezoni.
Sfidanti.al