Ka qenë padyshim njëri nga më të mirët. Esat Mala luajti plot 5 sezone për Partizanin përpara sesa të provonte fatin jashtë Shqipërisë, por ndoshta mund të kthehet përsëri. Aventura në Turqi me Giresunsporin nuk ishte ajo që priste dhe 23-vjeçari po “peshon” alternativat për edicionin e ardhshëm. Gjithsesi, burime në klub pohojnë për televizionin se do të jetë e vështirë që Mala të veshë sërish bluzën e kuqe, dhe kjo për një arsye të fortë. Jo edhe aq për çështje financiare, por kryesorja sepse Partizani dëshiron që shqiptari i Kosovës ta mendojë alternativën e kuqe si parësore, dhe jo si zgjedhje të dytë apo të tretë. Gjithçka mund të ndodhë, por është e vështirë, pohuan burimet te kryeqytetasit. Esat Mala u bashkua me Partizanin në 2017 kur ishte fare i ri, dhe arriti të fitonte titullin nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega në 2019 duke qenë protagonist. Ai pati ulje-ngritje dhe madje u përjashtua nga skuadra në fund të vitit 2019 pasi nuk pranoi të rinovonte kontratën. Mala shënoi 11 gola në 127 ndeshje për kryeqytetasit, duke shërbyer edhe shumë asistë e duke qenë pjesë e rëndësishme e lojës ofensive. Natyrisht, kthimi i tij do ta ndihmonte edhe më shumë ekipin e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti për edicionin e ardhshëm.
Sfidanti.al