Partizani ka pasur gjithë këta vjet skuadra të forta në fushën e lojës, por nuk ka arritur ta fitojë titullin. Herë gabimet e veta, herë gjyqtarët e “telekomanduar” (siç ndodhi vjet) nuk e kanë lejuar që të prekë me dorë trofeun që i mungon prej 25 vjetësh, dhe duket se tek të kuqtë është krijuar një kompleks që nuk e kanë pasur, kompleksi i njeriut që kërkon mbrojtje tek të fuqishmët, apo siç thuhet popullorçe, tek “të fortët”.
Veprimi i presidentit Demi për të afruar Luçiano Moxhin, e pastaj me radhë drejtorin Prieti, trajnerin Iuliano, dhe menaxherin Bebeto, ishte një projekt që synonte t’i mbushte më shumë mendjen vetes dhe tifozëve se tani Partizani ishte shumë i fortë, me këta personalitete të ardhur nga Italia. Për fat të keq, jo çdo “farë” mbin e lulëzon në çdo “truall”, dhe “fara” italiane dështoi, edhe pse ishte e markës juventine.
Tani, Partizani ka zgjedhur një “farë” shqiptare, vëllanë e kryeministrit Edi Rama. Ish-basketbollisti i Dinamos, Olsi Rama, pasi e ndoqi nga afër në çdo ndeshje ekipin, ka vendosur “të veshë uniformën” e të “dalë në fushë”. A do të ketë sukses projekti shqiptar? Pritet të shihet, por ata që kanë fituar titujt vitet e fundit, sidomos Skënderbeu e Kukësi, janë falur tek të “fortet” e zyrave. Në këtë rast, pushteti i futbollit është FSHF, konkretisht presidenti Duka, dhe po ashtu lidhjet e biznesit që presidentët e klubeve kanë me të, dhe me njëri-tjetrin.
Sfidanti.al