Juventusi duhet të punojë në një merkato përforcimesh të rëndësishme, jo vetëm për çështje numerike, por edhe për të rindërtuar një skuadër që duhet të përballet me sfidën për të ruajtur nivele të larta konkurrence.
Sulmi bardhezi, me Dushan Vlahoviçin gjithnjë e më larg Torinos dhe me Randal Kolo Muani ende të pasigurt për të ardhmen e tij me fanellën e Juventusit, do të ketë nevojë për përforcime cilësore. Xhuntoli ka nisur tashmë të punojë për të eksploruar të gjitha opsionet, duke pasur parasysh edhe transferimet me parametër zero. Situata mund të përkeqësohet nëse Juventusi vendos të investojë edhe në krahët e sulmit, në veçanti, për të blerë Konseisaon që kushton 30 milionë euro. Edhe mbrojtja e Juventusit mund të ketë nevojë për investime të qarta. Qoftë nëse mbetet trajneri Igor Tudor, apo edhe nëse vjen ndonjë tjetër, është e mundur që të vazhdohet me një mbrojtje me tre, ndaj do të nevojiten përforcime për të garantuar soliditetin e repartit. Lojtarë si Renato Veiga mund të largohen së shpejti, gjë që e bën edhe më urgjente nevojën për të forcuar mbrojtjen.
Një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij projekti sportiv është Kenan Jildiz, i cili e ka deklaruar disa herë dëshirën për të qëndruar te Juventusi dhe për të ndërtuar të ardhmen me fanellën me numrin 10 në shpinë. Megjithatë, talenti i ri turk është në radarët e shumë klubeve të mëdha evropiane, të gatshme të bëjnë oferta milionerësh. Juventusi e di që duhet të luftojë për ta mbajtur dhe objektivi për të arritur të paktën vendin e katërt në kampionat është hapi i parë vendimtar për të mos humbur xhevahirin më premtues të skuadrës. Në mesfushë ndërkohë kërkohet me ngulm Sandro Tonali, ndërsa në sulm Viktor Osimhen dhe Lukman janë objektivat kryesorë.
sfidanti.al