Jordi Alba do të vazhdojë aventurën e tij në SHBA. Mbrojtësi i majtë spanjoll ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Inter Miami, duke zgjatur qëndrimin e tij në klub deri në fund të vitit 2027. Kontrata e mëparshme e 36-vjeçarit përfundonte në dhjetor të vitit 2025, por klubi nga Florida konfirmoi të enjten marrëveshjen e re me ish-lojtarin e Barcelonës. Alba është një nga emrat më të njohur në skuadër, krahas ‘yjeve’ si Lionel Messi, Sergio Busquets dhe Luis Suárez, të cilët gjithashtu janë në vitin e fundit të kontratës së tyre. Në deklaratën e tij për klubin, Jordi Alba tha: “Jam shumë i lumtur që rinovova kontratën. Kam ende dëshirë të garoj dhe ndihem mirë te ky klub. E ndiej dashurinë e tifozëve në çdo ndeshje dhe këto dy vite kanë qenë fantastike për mua. Dua të vazhdoj të fitoj dhe të ndihmoj ekipin të arrijë sa më shumë trofe.”
Inter Miami po kalon një moment të vështirë sportivisht, me vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e fundit dhe një eliminim të hershëm nga Liga e Kampionëve e Concacaf, përpara përballjes me Porto-n në Kupën e Botës për Klube.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Jordi Alba mbetet një lojtar kyç për ekipin. Në këtë sezon të Major League Soccer (MLS), ai ka zhvilluar 11 ndeshje, me 4 asistime dhe 931 minuta në fushë, duke marrë edhe 3 kartonë të verdhë. Në sezonin e kaluar, ai kontribuoi me 5 gola dhe 15 asistime në 38 ndeshje, duke ndihmuar ekipin të fitojë trofeun ‘Supporters’ Shield’.
E ardhmja e shokëve të tij, Messi, Busquets dhe Suárez, mbetet ende e paqartë, por klubi ka sinjalizuar se synon të rinovojë të paktën me kapitenin argjentinas.
sfidanti.al