Sot bëhet një vit që kur Robinho, 41 vjeç, ndodhet në burg, pasi u dënua përfundimisht me 9 vite heqje lirie për një përdhunimin në grup ndaj një vajze të re shqiptare në vitin 2013, në një klub nate në Milano. Ish-futbollisti i njohur i ka mohuar gjithmonë akuzat, por nuk ka mundur t’i shmanget dënimit.
Avokatët e tij vazhdojnë të kërkojnë rrugë ligjore për të apeluar dënimin, duke argumentuar se drejtësia braziliane nuk është e njëjtë me atë italiane, ndaj duhet të zbatohet ligji lokal. Robinho është i burgosur në Tremembé, një burg i famshëm në brendësi të São Paulos, ku zakonisht mbahen kriminelë të njohur ose personalitete të tjera që mund të jenë në rrezik në burgje të zakonshme për shkak të profilit të tyre publik.
Ky institucion njihet edhe si “burgu i të famshmëve”, ku ndodhen politikanë si Luiz Estevão apo figura të njohura si Antonio Marcos Pimienta das Neves, si dhe kriminelë të famshëm si Cristian Cravinhos apo Alexandre Nardoni. Ndërkohë që avokatët ndjekin rrugën ligjore, ish-lojtari i Santosit, Real Madridit, Manchester City dhe Milanit po përpiqet të përfitojë nga sjellja e mirë për të fituar një regjim më të butë burgimi dhe eventualisht lirinë me kusht. Sipas mediave braziliane, ai ka një sjellje shembullore, ka marrëdhënie të mira me të burgosurit e tjerë.
Kur luan futboll, e bën me këpucë të marra hua nga të burgosurit e tjerë, të cilët entuziazmohen duke e parë të luajë në oborrin e burgut. Në ndeshjen e tij të parë, në një fushë me dhe, me gardianët si spektatorë, ai mori një goditje të fortë pas një serie driblimesh, duke përfunduar në tokë. “Tani është i pagëzuar”, – ishte thirrja që u dëgjua nga të burgosurit e tjerë.
Robinho merr pjesë në aktivitete sportive, kalon kohë duke marrë rreze dielli dhe është përfshirë në një kurs elektronik 600-orësh, ku mëson të riparojë televizorë dhe radio. Ai është gjithashtu anëtar i klubit të leximit, kujdeset për kopshtin e burgut, ka përfunduar 10 modulet e Programit të Edukimit për Punë dhe Qytetari, i cili ndihmon në uljen e dënimit. Për çdo 12 orë punë, i reduktohet një ditë burgimi.
sfidanti.al