Jehona mediatike: Lavde për Realin, akuza UEFA-s dhe policisë franceze!

Pati shumë për të ngritur në qiell, por edhe për të kritikuar. Finalja e Championsit në Paris do të mbetet në histori, si suksesi i 14-të i Realit, si humbja e pamerituar e Liverpulit, si dhe dështimi i organizatorëve francëzë, i UEFA-s dhe i policisë. Bashkë me skenat e shkëlqyera të gëzimit të lojtarëve madrilenë, gjithë bota ka ndjekur edhe sulmin me gaz lotsjellës të policisë ndaj tifozëve liverpulas, mes të cilëve mjaft fëmijë, dhe gabimeve të UEFA-s me biletat. Mediat europiane u morën me të dyja anët e medaljes.

“Marka” bën lojë fjalësh në titull duke theksuar se titulli i 14-të u fitua nga Kurtua: “Madridi kurorëzoi Championsin e përmbysjeve, sërish kampion i Europës!” “Kampion i përjetshëm, – është titulli i “AS”-it, – Madridi fiton të katërmbëdhjetën, më emocionuesen e të gjithave, me një ndeshje heroike”. “Kurtua dhuron Championsin, – ngacmon “El Mundo Deportivo” e Barcelonës, – vend Vinisiusi dhe portieri belg. Dominim i Liverpulit!”

“Deili Mirrër”: Atak kardiak për tifozët e Liverpulit! Reali fiton 1-0 finalen e Championsit në Paris! “Deili Star” bën lojë fjalësh me titullin “Një turp i vërtetë”, që mund të përkthehet edhe “një turp i Realit”! Shkatërrohen ëndrrat e të kuqve! “Observeri” gjithashtu në Angli merret me tifozët që nuk hynë dot në stadium, edhe pse ishin me biletë, duke akuzuar policinë franceze.

Edhe mediat franceze kritikojnë sjelljen e policisë së vendit të tyre duke theksuar se “përdorimi i gazit lotsjellës aty ku ka fëmijë është e rrezikshme”! “La Gazeta delo Sport” nga Italia e ka me Ançelotin që e quan “Karletoja i Madh”: Asnjë si ai, Championsi i katërt!” “L’Ekip” i Francës e ndan faqen me Realin dhe ekipin francez të regbisë, La Roshelë, pasi të dyja skuadrat dolën kampione të Europës!

Sfidanti.al