Nuk është kurrë vonë për t’u bërë legjendë, këtë e di më mirë se kushdo Jamie Cureton, i cili në moshën 50-vjeçare ka thyer një rekord unik në futbollin anglez: ai është bërë lojtari i parë që ka shënuar në të gjitha (10) kategoritë e piramidës së futbollit britanik.
Historia e tij nis në vitin 1994, kur një sulmues i ri, vetëm 19 vjeç, debutonte në Premier League me fanellën e Norwich City-t dhe shënonte kundër Chelsea-t, vetëm 13 sekonda pasi kishte hyrë në fushë. Askush nuk do ta kishte imagjinuar se, pas më shumë se tri dekadash, ai djalosh do të ishte ende aty, duke gjetur rrugën e golit.
“Çdo gol është po aq i veçantë sa i pari,” – u shpreh ai me emocion për BBC. – “Edhe po të isha në Wembley, do ta festoja njësoj. Është një ndjenjë e pabesueshme.”
Shembulli i Jamie Cureton është një dëshmi e gjallë se në futboll, ashtu si në jetë, nuk ka moshë për të ëndërruar.
sfidanti.al

