Ish-lojtari i kombëtares së Francës, Wissam Ben Yedder, do të përballet me drejtësinë në Nice për akuzat e përdhunimit, tentativë përdhunimi dhe sulm seksual. Zyrtarisht, prokuroria në Nice-s konfirmoi se ai dhe vëllai i tij, Sabri Ben Yedder, do të dalin në gjyq. Të dy vëllezërit janë paditur në vitin 2023 pas denoncimeve të paraqitura nga dy të reja të cilat i kishin takuar në një festë, akuza që ata i mohojnë kategorikisht.
Gjyqtari hetues pranoi kërkesën e prokurorisë për ngritjen e çështjes ndaj vëllezërve për përdhunim dhe sulm seksual, ndërsa për Wissam Ben Yedder ka edhe një akuzë shtesë për tentativë përdhunimi. Avokatja e tij, Sophia Kerbaa, njoftoi se do të apelojë vendimin, duke theksuar se ish-sulmuesi “ka kundërshtuar fuqishëm këto akuza që në fillim të procesit”.
Ben Yedder, i cili numëron 19 paraqitje me Francën dhe aktualisht luan në Turqi, në muajt e fundit është përfolur më shumë në sallat e gjyqit sesa në fushën e lojës. Në shtator, ai u gjobit me 90 mijë euro nga gjykata penale e Nice-s për dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën është në proces divorci. Po ashtu, në vitin 2023 ai u dënua me gjashtë muaj burg me kusht nga një gjykatë spanjolle për mashtrim fiskal gjatë periudhës kur luante te Sevilla (2016–2019).
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në Francë dhe pritet të ketë jehonë të gjerë në botën e futbollit, teksa ish-sulmuesi kërkon të pastrojë emrin e tij përballë akuzave të rënda.
sfidanti.al

