Ish-kapiteni Pol Ins: Gabim i Junajtidit që i dha shiritin Ronaldos!

Ka qenë një mesfushor i fortë i “djajve të kuq” të Sër Aleks Fergusonit në vitet 90-të, kur nisi dominimi në Angli, dhe ka pasur një karakter të fortë, të ngjashëm me Brajan Robsonin dhe Roi Kinin. Pol Ins, ish-yll i Mançester Junajtidit dhe i Interit të Milanos, deklaron se vendimi i trajnerit Ralf Rangnik për t’i dhënë shiritin e kapitenit Kristiano Ronaldos, ishte një gabim. Kapiteni Harri Megajer nuk luante dhe gjermani vendosi të bënte portugezin kapiten për ndeshjen e humbur ndaj Uolvesit. Ins doli kundër këtij vendimi. “Nëse duhej të zgjidhej një kapiten, ai duhej të kishte qenë Skot Mektominai, – tha anglezi, – sepse mendoj se kapiteni vendoset nga ajo që jep në fushë. Si mund t’ia japësh Ronaldos kur gjithkush po ankohet për të që largohet nga fusha pa përshëndetur tifozët? Dhënia e kapitenit duhet të jetë një shembull, Mektominai ka qenë i shkëlqyer dhe nuk është ankuar për asnjë moment”.

Sfidanti.al