Inzaghi i lumtur me Interin

Interi triumfoi me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Las Palmas në miqësoren e zhvilluar në Cesena, teksa në pritje të Lautaros dhe Thuram, protagonist është bërë sulmuesi iranian Mehdi Taremi, i cili ka shënuar dy herë dhe Dimarco më pas vulosi rezultatin. Pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve, teksa evidentoi entuziazmin e madh që ka në grupin e futbollistëve në dispozicion.

“Jemi ende duke u përgatitur për sezonin e ri, por skuadra bëri shumë mirë në këtë takim, ndonëse duhet të pranojmë se ka ende punë për të bërë. Më pëlqen vërtetë shumë entuziazmi i djemve, si atyre që erdhën në grumbullim nga dita e parë, ashtu edhe i atyre që na janë bashkuar rrugës. Të gjithë duken shumë të lumtur që janë sërish bashkë dhe kjo të jep mundësi të punosh më shumë e më mirë”, u shpreh trajneri zikaltër.

Testi i radhës për Interin është ai i të premtes së 2 gushtit përballe Pizës, sfidë ku Simone Inzaghi do të gjejë sërish si kundërshtar vëllanë e tij, Philippo.

sfidanti.al