FIFA ka vendosur të heqë dorë nga plani për të shitur një pjesë të strukturës së re të lidhur me të ardhurat e Kupës së Botës, pas një reagimi të gjerë kundërshtues në mbarë botën e futbollit. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në një deklaratë ekskluzive për Sky News, konfirmoi se projekti nuk do të vijojë më tej.
“Pasi dëgjova me kujdes të gjitha pikëpamjet, është bërë e qartë se projekti ka krijuar përçarje të një natyre që, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk është më në interes të objektivit të vendosur në fillim”, u shpreh Infantino. Ai shtoi se qëllimi i FIFA-s ka qenë gjithmonë “të bashkojë dhe të përmirësojë”, duke theksuar se tashmë synon të rikthejë të gjitha palët e interesuara në tryezën e diskutimeve.
“Qëllimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë të bashkojmë dhe të përmirësojmë. Për këtë arsye, kjo propozim nuk do të vijojë. Në ditët dhe javët e ardhshme synoj të rikthej të gjitha palët e interesuara së bashku, në frymën e interesit të përbashkët për lojën tonë dhe me objektivin për të vazhduar zhvillimin e futbollit kudo, veçanërisht në ato vende që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë”, deklaroi presidenti i FIFA-s. Të martën, FIFA kishte konfirmuar planin e Infantinos për krijimin e një strukture të re, me vlerë të parashikuar rreth 20 miliardë dollarë, të quajtur FIFA Forward Enterprise, dhe shitjen e më shumë se 20% të saj përmes një investimi që synonte të siguronte rreth 4.2 miliardë dollarë.
Plani kishte shkaktuar reagime dhe shqetësime të forta lidhur me të ardhmen e menaxhimit të futbollit dhe të ardhurave nga kompeticioni më prestigjioz i sportit më të ndjekur në botë.

