Gjimshiti: Ndaj Andorrës vlejnë vetëm 3 pikët

Kapiteni Berat Gjimshiti theksoi se skuadra do të luajë nesër për të marrë vetëm tre pikët dhe të sigurojë play-off-in e Kampionatit Botëror për herë të parë. Andorrën e konsideron një kundërshtar të vështirë, duke vlerësuar maksimalisht përballjen me ta, ndërsa vlerëson edhe rritjen e skuadrës tonë në këto kualifikuese. Kapiteni Gjimshiti falënderon edhe tifozët shqiptarë që nesër do të jenë të shumtë në përballjen me Andorrën

Ndeshje e rëndësishme kundër Andorrës, çfarë do të tentojmë nesër? E keni studiuar? – Sigurisht që kemi ardhur për një qëllim këtu, të marrim tre pikët. Na nevojiten për kualifikueset. I kemi parë ndeshjet e Andorrës kundër Anglisë dhe Serbisë këtu, që i ka vënë në shumë vështirësi. Ne do luajmë futbollin tonë, atë lojë që kemi bërë në këto kualifikuese, si në ndeshjet e fundit. Do hyjmë me vetëbesim të madh që të marrim tre pikët, do respektojmë kundërshtarin. Do jenë momente të vështira ato 90 minuta, por duhet të jemi të gjithë mentalisht shumë të fortë që ta përballojmë.

A e ke menduar para 10 vitesh që do luanit shanset për të qenë pjesë e një Kupe Bote? – Ndeshja është shumë e rëndësishme. Në fakt ndeshja e radhës është gjithmonë e rëndësishme. Para Serbisë ishte Serbia, tani është Andorra. Do japim maksimumin dhe të marrim këto tre pikë që të vazhdojë ëndrra për play-off-in. A e kam menduar 10 vite më parë? Nëse do më pyesje para 10 vitesh, jo. Nëse më pyet sot, po. Besoj gjithmonë në mundësitë e ekipit dhe mundësitë që të jep futbolli. Gjithçka është e mundur në futboll dhe kjo na shtyn në futboll. Gjithçka është e arritshme dhe pse mos ta provosh.

Çfarë ka plus ky ekip krahasuar me atë të Europianit? – Kanë ardhur disa lojtarë të rinj më të fortë dhe të talentuar që janë bashkuar ekipit. Ia kanë vështirësuar punën më shumë trajnerit, ekipit ia kanë lehtësuar, sepse ka më shumë kualitet. Por trajneri e ka më të vështirë te 11-shja që duhet të fillojë ndeshjen. Kualiteti është rritur në shumë aspekte dhe është mbajtur grupi. Grupi bën të mundur gjithçka dhe besoj se është gjëja më e rëndësishme që kemi ne.

Mendon se do shënosh nesër? – Unë si mbrojtës futem në ndeshje që mos të pësojmë gol. Nëse më vjen rasti për të shënuar, pse jo. Nuk ka rëndësi për mua nëse shënoj, për mua është e rëndësishme që ekipi të fitojë dhe të shkojmë në play-off.

Nesër stadiumi do të jetë kuqezi. Një mesazh për tifozët – Kur dëgjova që do jetë plot me tifozët tanë, të jep një shtysë më të madhe që të fitojmë. Falenderime për tifozët dhe të japim maksimumin dhe ata jashtë fushës. Besoj dhe shpresoj që t’i bëjmë të lumtur pas ndeshjes. Kjo është më e rëndësishme dhe besoj se do e arrijmë.

sfidanti.al