Futbollin e vërtetë e gjeni në…periferi

Bylisi i 19-te  dhe 21- vjeçarëve triumfoi pothuajse në çdo front të mundshëm në Shqipëri, duke rezultuar një nga surprizat më të ëmbla të futbollit shqiptar në sezonin që sapo lamë pas. Shembull suksesi aty ku nuk e pret, në një lokalitet të vogël por me shumë vizion pasi klubi mallakstriot ka ndërtuar një akademi dhe klub që funksionon në perfeksion në të gjithë sistemin kapilar. Jo rastësisht, Bylisi gjatë dekadës së fundit ka eksportuar më shumë se kushdo në Superiore dhe jo vetëm, ndërsa këtë sezon skuadra  U-21 fitoi titullin e katërt kampion e të njëjtin sukses përsëriti edhe U-19 që “rrëmbeu” madje edhe Kupën bashkë me biletën e ndeshjeve europiane për të rinj.

Sukses që flet shumë sepse shpërblehen sakrificat dhe vizioni pasi futbolli nuk luhet vetëm në metropol por edhe në periferinë e largët e të lënë pas dore. Ndoshta futbolli shqiptar duhet të niset pikërisht nga ky shembull për të hedhur bazat e së ardhmes edhe pse moda e transferimeve të emrave aspak të njohur nga jashtë të cilët zgjedhin milionat dhe jo projektin apo fanellën e skuadrave, mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Nga Pirro Bardhyli