Flik-Tuhel, ose finalja e Championsit e trajnerëve nga Gjermania!

“Sa gjerman është Paris SG dhe sa francez është Bajerni”. Ky ishte titulli në formë pyetjeje i “Kikerit”, ndërsa u morën vesh finalistët e Championsit. Një gjë mund të thuhet pa frikë se gabon, do të jetë finalja e dy trajnerëve nga Gjermania, Hansi Flikut të Bajernit dhe Tomas Tuhelit të PSG-së. Ky i fundit arriti deri në finish, duke realizuar atë për të cilën kishin dështuar paraardhësit e tij, Loran Blank, Karlo Ançeloti apo Unai Emeri.

“Për finalen po përgatitemi njëlloj siç kemi bërë për ndeshjet ndaj Dortmundit, Atalantës dhe Lajpcigut, – thotë Tuheli, – një ditë të tërë kemi bërë vetëm taktikë”.  Trajneri thekson se Verrati është më mirë, por nuk luan dot 90 apo 120 minuta, po ashtu Idrisa Geje, ndërsa Kejlor Navas është më pak i mundshëm. Gjithsesi, duhet pritur deri në fund, ndërsa Mbape e të tjerët janë shumë mirë. Edhe tek Bajerni i Flikut ka probleme, pasi Boatengu dhe Pavari mbeten në dyshim, me francezin që nuk ka luajtur deri tani.

Bavarezët sigurojnë se nuk do të ndryshojnë stilin e lojës. “E dimë se PSG luan shumë shpejt, sidomos në sulm, por nuk do të bëjmë eksperimente pikërisht tani, – thotë Fliku, – duke luajtur “lart” kemi mundësi të bëjmë presion për të marrë topin. PSG nuk është vetëm sulmi, por edhe Tiago Silva apo Markinjos dhe të tjerët. Jo më kot ka pësuar vetëm 5 gola në këtë Champions, pra ka mbrojtjen më të fortë”. Dy trajnerët respektohen shumë me njëri-tjetrin, ndonëse do të duhet të jenë kundërshtarë në finalen më të madhe të karrierës.

Sfidanti.al