Flamurtari tenton Odise Roshin

Flamurtari, ofertë Odise Roshit. Kuqezinjtë kërkojnë të rikthejnë në Vlorë pas 14 vitesh futbollistin fierak, që ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare të futbollit. Roshi ishte pjesë e Flamurtarit qysh në rininë e hershme të tij dhe ka mbajtur veshur fanellën kuqezi në sezonet 2009-2011 dhe më pas u zhvendos drejt Gjermanisë, ku për 4 vite do të aktivizohej me Këln dhe Frankfurt. 33- vjeçari do të kishte edhe disa aventura të tjera jashtë Shqipërisë për t’u zhvendosur në Turqi në vitin 2021. Roshi ka shkëlqyer këtë vit tek Erzurumspor. Nisur edhe nga rikthimi në Superiore, Flamurtari do të kërkojë me ngulm që të marrë shërbimet e ish-lojtarit të Kombëtares, por ai ka edhe një pikë shumë të fortë në skuadër, zëvendëstrajnerin Andi Ribaj, që ka shumë miqësi me Roshin. Me sa duket, edhe Ribaj do të ketë pjesën e tij për ta bindur Roshin që të rikthehet në Vlorë dhe pse jo ndoshta si një mbyllje e karrierës së tij. Mësohet se dëshira që 33- vjeçari të jetë në Vlorë është edhe e administratorit Sinan Idrizi, i cili është i gatshëm që t’i plotësojë çdo kërkesë trajnerit Artim Pollozhani për të ndërtuar një skuadër dinjitoze për elitën.

sfidanti.al