Edhe vetë trajneri portugez u detyrua ta pranonte në fund se humbja ishte e merituar. “Përsa i përket këtyre 3 pikëve, Fiorentina e meritoi, – tha Zhoze Murinjo, pasi Roma u mposht në Firence, – edhe pse VAR-i na dëmtoi. Ne ishim të lodhur, shikohet mirë ndryshimi mes një ekipi që përgatitet gjithë javën dhe një tjetri që luan të enjtën në Europë”. E vërteta është që Roma ishte pa “benzinë” në “Artemio Franki”, e rraskapitur nga tejlodhja ndaj Leisterit në gjysmëfinale të Ligës së Europës. Nuk është lehtë të eliminohet një skuadër angleze. Duke u kthyer tek sfida e Serisë A, Nikolas Gonzales dhe Xhakomo Bonaventura shënuan që në 11’ e para për “vjollcët” që u mbajtën deri në fund, madje duke luajtur shumë më mirë sesa kryeqytetasit. Ata patën 9 gjuajtje ndaj 3 të romanëve dhe 7 në kuadrat përkundër vetëm 1. Roma mbeti me 59 pikë, pas Atalantës që ka po 59, ndërsa Fiorentina u ngjit gjithashtu në 59. Në këtë pozicion, të besuarit e Murinjos kualifikohen për në grupet e Ligës së Europës, por nëse i kalon Fiorentina, zbresin sërish në Ligën e Konferencës.
Sfidanti.al