Egnatia, Selmanin nuk e tremb konkurrenca

Sulmuesi Kastriot Selmani është një nga prurjet më të rëndësishme të merkatos verore të Egnatias. I bashkuar me kampionët në fuqi të Shqipërisë, ai ka shfaqur menjëherë entuziazëm dhe vendosmëri për të dhënë kontributin e tij në arritjen e objektivave madhorë të klubit. Më herët, autori i golit të djeshëm foli rreth afrimit te rrogozhinasit dhe synimet e tyre.

”Normalisht që ndihem shumë mirë, pasi kam ardhur tek ekipi kampion. Të them të drejtën nuk u mendova dy herë, sepse bëhet fjalë për një ekip cilësor dhe serioz. Djemtë dhe gjithë stafi më kanë pritur shumë mirë. Përgatitja ka qenë mjaft e mirë, me ritëm të lartë. Çdo gjë duket perfekte, ne na mbetet të punojmë dhe të arrijmë sa më lart”, u shpreh fillimisht sulmuesi, duke konfirmuar edhe atmosferën pozitive në ambientin e skuadrës rrogozhinase.

Duke vlerësuar frymën kolektive brenda grupit, Selmani thekson: “Po shoh që tek Egnatia jemi të gjithë si një familje dhe po shoh se ky ka qenë suksesi. Konkurrenca nuk më tremb, përkundrazi i bën mirë çdo futbollisti”, vijoi më tej sulmuesi i rrogozhinasve.

Për tifozët, lojtari ka një premtim të qartë: “Do bëj gjithnjë maksimumin për të shënuar apo dhënë asiste, por më e rëndësishme është ta çojmë Egnatian në grupe. Mendoj që do të bëjmë më të mirën dhe do të japim maksimumin për t’ia dalë. Besoj se me punë do t’ia dalim dhe pse jo, të arrijmë deri te grupet”, mbylli prononcimin e tij Kastriot Selmani. Me qartësinë në objektiva dhe motivimin që ka shfaqur, Selmani duket gati për të qenë një nga armët kryesore të Egnatias në aventurën europiane dhe në mbrojtjen e titullit kampion.

Sfidanti.al