Egnatia do të kërkojë me çdo kusht që ta mbajë sërish në shtëpinë e saj trofeun e kampiones, të cilën do ta diskutojë në finale me ekipin e Vllaznisë. egnatiaAshtu siç pritej, kampionët në fuqi evituan surprizat e pakëndshme, duke shkuar vetëm një ndeshje larg trofeut. Djemtë e Tetovës kanë harxhuar jo pak energji këto ditët e fundit me finalen e Kupës dhe gjysmëfinalen me Partizanin, ndaj këto pak ditë në dispozicion do t’i vënë në shërbim të çlodhjes, në mënyrë që të jenë në formën e tyre maksimale ndaj kuqebluve më 12 maj.
Egnatia arriti të shkojë për të dytin vit radhazi në finale për fitimin e kampionatit, ku sërish i mjaftoi një barazim për të kaluar më tej. Në njëfarë mënyre, duket se të gjitha finalet dhe diskutimi i trofeve lidhet ngushtë me emrin e Partizanit. Vitin e kaluar e mposhti pikërisht në finale në edicionin e parë të “Final 4”, pasi më herët kishte udhëhequr gjatë gjithë kampionatit. Të besuarit e Edlir Tetovës mundën të kuqtë, që në atë kohë drejtohej nga Orges Shehi, dhe për herë të parë në histori u bënë kampionë të vendit. Rivaliteti vijoi edhe këtë sezon, ku sërish fitimtarë dolën rrogozhinasit, duke u hequr mundësinë kryeqytetasve që të pretendonin për një trofe. Më konkretisht, i eliminuan nga gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë, ndërsa së fundmi edhe nga gjysmëfinalja e kampionatit. Në Kupë nuk ia dolën që ta ngrinin trofeun, por shpresojnë që këtë gjë ta bëjnë në kampionat, edhe pse nuk do të jetë një sipërmarrje e lehtë. Egnatia rrezikon të dalë pa asnjë trofe këtë sezon, ndaj edhe mund të thuhet se janë nën një presion jo të vogël para finales. Rrogozhinasit, pasi humbën mundësinë të dërgonin sërish kupën në shtëpi, kanë shanse vetëm nëse marrin kampionatin që të sigurojnë një trofe. Kampionët janë skuadra më e mirë e futbollit shqiptar, të paktën në letër, duke parë që e mbyllën në krye pas 36 javësh kampionat, ndaj edhe e kanë detyrim që ndaj shkodranëve të dalin me kokën lart. Gjithsesi, e gjitha mbetet për t’u parë se sa do t’ia dalin më 12 maj që të përsërisin vitin e kaluar.
sfidanti.al