Egnatia me mungesa në ndeshjen e kthimit

Egnatia kërkon përmbysjen e rezulatit të ndeshjes së parë ndaj Borac Banja Luka, me qëllimin për të shkuar në turin e dytë të Champions League. Kampionët në fuqi të Shqipërisë u mundën në kohën shtesë në Bosnje, në ndeshjen e një jave më parë e tani kanë misionin për të zhvlerësuar rezultatin e asaj sfide. Në “Elbasan Arena”, trajneri Edlir Tetova do duhet të bëjë pa dy lojtarë shumë të rëndësishëm siç janë Arbin Zejnullai dhe Edison Ndreca, të dy të ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e parë. Në takimin e luajtur në Bosnje, nuk munguan thirrjet nacionaliste nga tifozët serb, por në Elbasan do synohet që përgjigja të jepet në fushën e lojës. Në ndeshjen e parë nuk pati shumë diferenca sa i takon cilësisë së skuadrave, e ndaj besimi te rrogozhinasit është i madh se mund të arrijnë që të marrin një biletë për në raundin tjetër. Në rast kualifikimi, Egnatia do të përballet në turin e dytë të Champions me gjigantët e PAOK, por edhe nëse nuk arrin të kalojë përballë Borac, aventura e kampionëve do të vijonte në turin e dytë të Conference League, aty ku do të ndesheshen me ekipin që eliminohet nga përballja Víkingur Reykjavík- Shamrock Rovers. Egnatia ishte dominuese në sezonin që lamë pas, teksa arriti që të fitonte titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, por gjatë merkatos së verës humbi disa elementë cilësor. Drejtuesit po punojnë për të shtuar alterntivat, teksa brenda pak ditësh priten të tjera afrime.

sfidanti.al