Dy prej talenteve më premtues të futbollit shqiptar kanë hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre. Qendërmbrojtësi Glenn Macaj dhe mesfushori Christian Lila, pjesë e Kombëtares Shqiptare U-16, kanë nënshkruar zyrtarisht me West Ham United.
Të dy futbollistët do t’i bashkohen skuadrës U-18 të klubit londinez për sezonin e ri, duke nisur kështu aventurën e tyre në një nga akademitë më të vlerësuara të futbollit anglez. Ky transferim përfaqëson një mundësi të artë për zhvillimin e tyre dhe një hap të rëndësishëm drejt futbollit profesionist.
Lajmi konfirmon gjithashtu rritjen e pranisë së talenteve shqiptare në Angli. Aktualisht, edhe mesfushori i Kombëtares Shqiptare U-17, Armend Muslika, është pjesë e ekipit U-18 të Tottenham Hotspur, duke dëshmuar se futbolli shqiptar po prodhon gjithnjë e më shumë lojtarë që tërheqin vëmendjen e klubeve të mëdha të Premier League.
Nënshkrimi i Macajt dhe Lilës me West Ham konsiderohet një tjetër sinjal pozitiv për të ardhmen e futbollit shqiptar dhe për perspektivën e brezit të ri kuqezi.

