Frika ishte e madhe se mund të ndodhte. Ajo së cilës ia kishin frikën të gjithë shpërtheu, ndërsa dhuna thuajse e kaloi në plan të dytë futbollin e luajtur në gjysmëfinalen e Botërorit, Francë-Marok. Edhe pse ishin angazhuar plot 10 000 forca policore, sërish ata që cilësohen ultras e bënë të vetën dhe pasoja më tragjike ishte një jetë e humbur në Monpelje. Një tifoz 14-vjeçar gjeti vdekjen gjatë përplasjeve. Forcat e rendit arrestuan qindra tifozë, por thjesht mundën të kufizonin disi rrezen e përhapjes së trazirave. Ishin me qindra e me mijëra francezë, por edhe përkrahës të Marokut që u ndeshën në mënyrë shumë më të ashpër sesa skuadrat e tyre në fushën e lojës. Përleshjet më të ashpra ndodhën në Paris, Marsejë dhe Monpelje.
Dhuna përfshiu edhe Brukselin, ndërsa në kryeqytetin e Belgjikës jetojnë shumë marokenë si dhe kuptohet jeton edhe popullsia vendase valone, që është frengjishtfolëse. Përse ky shpërthim dhe përse ishte i pritshëm? Sipas të dhënave të Eurostatit, rreth 9.1 milionë njerëz në Francë janë me origjinë të huaj, që do të thotë mbi 14 për qind e popullsisë, dhe nga këta llogariten 3 milionë marokenë. Kjo ka krijuar çarje të forta në vend, nxitur nga diferenca e kulturave dhe ajo ekonomike, ndërsa flamujt e Marokut e tifozët e tij i gjeje kudo. Gjithsesi, nga stadiumi ku u luajt gjysmëfinalja e Botërorit erdhi një mesazh tjetër ku shumë tifozë marokenë u kërkuan patriotëve të tyre të mos e vërshëllenin Marsejezën.
Sfidanti.al