Dean Huijsen, talenti që po ndez merkaton e verës në Premier League

Dean Huijsen është një nga emrat më të përfolur të Premier League për sezonin 2024-2025 dhe pritet të jetë protagonist edhe në merkaton e ardhshme verore. Edhe pse vetëm 19 vjeç, mbrojtësi i ri – tashmë pjesë e kombëtares spanjolle – ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane. Me kontratë deri në vitin 2030 me Bournemouth-in, duket se e ardhmja e tij mund të ndryshojë shumë shpejt. Pavarësisht moshës së re, Huijsen ka treguar se është një futbollist me cilësi të larta, i aftë të përballojë kërkesat e futbollit anglez. Mjaftoi vetëm një sezon në Premier League që ai të dëshmonte potencialin e tij të madh. Nuk është rastësi që emra si Real Madrid dhe Liverpool janë të interesuar për të.

Kontrata e tij përfshin një klauzolë që aktivizohet këtë verë, duke i vendosur një çmim prej 60 milionë eurosh – një shumë që, edhe pse e lartë, nuk është pengesë për klubet e mëdha që kërkojnë mbrojtës të nivelit të lartë. Real Madridi mund të bëjë një goditje të madhe duke e transferuar nga Bournemouth-i vetëm një vit pasi klubi anglez e bleu për 15 milionë euro.

Megjithatë, “Los Blancos” nuk janë të vetmit në garë. Chelsea, Liverpool, Arsenal, Tottenham dhe Newcastle kanë hyrë seriozisht në bisedime me përfaqësuesit e lojtarit, duke krijuar një konkurrencë të fortë për nënshkrimin e tij. Sipas burimeve të “The Athletic”, këto klube kanë zhvilluar takime dhe diskutime në javën e fundit për të qartësuar mundësinë e transferimit. Ndërsa interesimi i Real Madridit mbetet real, raportimet e fundit sugjerojnë se klubet angleze janë më të avancuara në këtë garë. Huijsen, që dikur ëndërronte të luante për klubin “merengues”, tani shihet më pranë një kalimi brenda Premier League. Në një moment kur Bournemouth-i dhe vetë lojtari dëshirojnë ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje, verës së këtij viti pritet t’i mungojë qetësia për Dean Huijsen. Por për një talent si ai, kjo është vetëm fillimi i një karriere të ndritur në futbollin europian.

sfidanti.al