Coutinho largohet nga Vasco da Gama

Mesfushori ofensiv Philippe Coutinho ka njoftuar largimin nga Vasco da Gama, klub ku u rrit si futbollist dhe ku u rikthye në vitin 2024 nga Aston Villa. Futbollisti brazilian ka kërkuar zgjidhjen e kontratës që skadonte në fund të sezonit, pikërisht në kohën kur palët po negocionin për rinovimin. Sipas raportimeve, vendimi i 33-vjeçarit lidhet me presionin e vazhdueshëm nga tifozët, i cili është rritur javët e fundit për shkak të mungesës së rezultateve të rëndësishme. Në një postim në rrjetet sociale, Coutinho shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij, duke theksuar lidhjen e fortë emocionale me klubin.

“Kam menduar shumë para se të shkruaja këtë. Për respektin dhe dashurinë që kam për ju dhe për këtë klub, ndjeva se duhej të flisja hapur. U ktheva te Vasco sepse e dua këtë klub dhe gjithçka që ai përfaqëson në jetën time. Në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin”, shkroi ai. Mesfushori theksoi se kritikat e shumta kanë ndikuar rëndë në gjendjen e tij: “Të gjykohesh nga kaq shumë njerëz për diçka që nuk është pjesë e karakterit tim është shumë e vështirë. Nuk do të mungoja kurrë respekt ndaj tifozëve, shokëve të skuadrës apo klubit”.

Në fund, Coutinho pranoi se kishte nevojë të mendonte për veten: “E kuptova se cikli im te Vasco kishte përfunduar dhe vendosa t’i jap përparësi shëndetit tim mendor. Jam shumë i lodhur mendërisht. Marrëdhënia ime me Vasco-n është e ndërtuar mbi dashurinë dhe do të mbetet e tillë përgjithmonë”.

sfidanti.al