Çekia gjen trajnerin e ri

Republika Çeke ka zyrtarizuar trajnerin që do të drejtojë ekipin në EURO 2024 dhe ai është Ivan Hasek.Këtë lajm e ka bërë të ditur Federata Çeke e Futbollit përmes një komunikate zyrtare, ku theksohet se bashkëpunimi mes palëve do të zgjasë deri në fund të kualifikueseve të Botërorit, me opsion rinovimi në rast kualifikimi në play-off ose në fazën finale. Duke folur pas emërimit në krye të skuadrës Çeke, Hasek theksoi dëshiron jo vetëm të eci mirë në Europian, por edhe në Botëror.

“Është një nder i madh për mua. Do të bëj gjithçka që kombëtarja të jetë e suksesshme jo vetëm në Kampionatin Evropian, por sigurisht edhe në Botëror. Dëshira për të shkuar në kampionatin botëror si trajner është diçka që do të më shtyjë përpara tani”-deklaroi tekniku çek.

Së fundmi, 60-vjeçari ka qenë në krye të skuadrës së Libanit, ndërsa më herët ka drejtuar Gabonin dhe Çekinë, ndonëse këtë të fundit vetëm për pesë ndeshje në vitin 2009.

Hasek zë vendin e Jaroslav Silhavy-t, i cili drejtoi ekipin që nga viti 2018, duke e kualifikuar jo vetëm në këtë edicion të Kampionatit Evropian, por edhe në Euro 2020, megjithatë pasi siguroi EURO 2024-ën si vendi i dytë i Grupi E, duke u renditur pas Shqipërisë, ai u largua nga drejtimi i Çekisë.

sfidanti.al