Lajmet nga kampi i Burnley-t, përpara sfidës ndaj Brentford-it, fokusohen veçanërisht te situata e Armando Brojës, i cili po i afrohet kthimit në fushë pas një periudhe të vështirë dëmtimi. Sulmuesi shqiptar ka mbetur jashtë për disa javë për shkak të problemeve fizike dhe aktualisht po kalon fazën përfundimtare të rikuperimit. Trajneri Scott Parker konfirmoi se Broja sapo ka përfunduar një seri injeksionesh dhe momentalisht po punon me ngarkesa të ulëta. Sipas tij, lojtari do të rrisë gradualisht intensitetin e stërvitjes, por do të nevojiten edhe disa javë para se të jetë plotësisht gati për rikthim në ndeshje zyrtare. Edhe pse nuk pritet të jetë i disponueshëm për përballjet e kësaj jave, ndaj Brentfordit dhe më pas kundër Evertonit, Broja konsiderohet si një nga lojtarët më pranë rikthimit, së bashku me Axel Tuanzebe-n. Kjo është një shenjë pozitive për Burnley-n, që ka vuajtur nga mungesat në repartin ofensiv.
A do të jetë Broja gati për të dhënë kontribut në Kombëtaren Shqiptare në ndeshjet play off të marsit, fillimisht kundër Polonisë e në rast kualifikimi përballë fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi? Në stafin teknik kuqezi po kryqëzojnë gishtat që sulmuesi jo vetëm të kthehet në javën në vazhdim, por edhe të marrë minuta në këmbë para se të nisë grumbullimi i Kombëtares.
sfidanti.al

