Marta, legjenda e futbollit brazilian dhe gjashtë herë lojtarja më e mirë në botë, ka udhëhequr Brazilin drejt një triumfi dramatik në finalen e Kupës së Amerikës për femra, duke mposhtur Kolumbinë pas penalltive me rezultatin 5-4. Kjo është hera e nëntë që Brazili fiton këtë trofe dhe e pesta radhazi.
Ndeshja e së shtunës ishte një spektakël i vërtetë, ku Kolumbia kaloi në avantazh tri herë, por Brazili u rikthye po aq herë. Marta, në moshën 39-vjeçare, hyri në lojë në minutën e 82-të dhe ndryshoi fatin e finales. Ajo barazoi në minutat shtesë të kohës së rregullt (90+6) për 3-3 dhe më pas shënoi sërish në shtesë, duke e çuar për herë të parë Brazilin në epërsi. Kolumbia reagoi me Leicy Santos në minutën e 115-të, duke barazuar në 4-4 dhe duke çuar sfidën te penalltitë.
Në këtë pikë, heroina tjetër e Brazilit ishte portierja Lorena Da Silva, e cila priti dy penallti dhe i dha ekipit të saj fitoren e madhe. Për Brazilin shënuan gjithashtu Angelina Alonso në minutën e 45-të dhe Amanda Gutierres në të 80-ën. Gutierres e përfundon turneun si golashënuesja më e mirë me 6 gola, baras me Claudia Martinez të Paraguajit. Për Kolumbinë, golat u shënuan nga Linda Caicedo, Mayra Ramirez, Leicy Santos si dhe një autogol i brazilianes Tarciane.
Ky ishte titulli i katërt i Kupës së Amerikës për Marta-n, e cila tashmë ka shënuar 122 gola në 206 ndeshje me kombëtaren, duke përmbyllur një tjetër kapitull të lavdishëm në karrierën e saj të jashtëzakonshme.
sfidanti.al