Bove me defribilator kardiak, në Itali nuk mund të luajë

Mbrëmë, ai ndoqi nga celulari ndeshjen e shokëve të skuadrës kundër Empolit, por cilat janë hapat e ardhshëm për Edoardo Bove? Për gjendjen dhe të ardhmen e mesfushorit të Fiorentinës ka ende pak siguri, por La Repubblica, edicioni i Firences, shkruan se, ndërsa priten rezultatet e analizave gjenetike që do të mbërrijnë javët e ardhshme, është kryer një rezonancë magnetike që ka identifikuar një zonë të zemrës, në ventrikulin e majtë, me një shenjë, nga e cila mund të jetë shkaktuar kriza elektrike. Si është e mundur që kjo shenjë të mos jetë zbuluar më parë, pavarësisht se lojtari ka kryer për vite me radhë vizitat mjekësore për aktivitetin sportiv dhe, pas Covid-it të vitit 2020 – sipas udhëzimeve të stafit mjekësor të Romës – është kontrolluar rregullisht me rezonancë magnetike? La Gazzetta dello Sport shpjegon se rezonanca magnetike nuk garanton gjithmonë identifikimin e plotë të këtyre shenjave (që bëhen shumë më të dukshme pas një arresti kardiak).

Kjo është situata aktuale dhe e shkuara, por çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Boves? Sipas La Repubblica, sot ose maksimumi nesër, kardiologët e departamentit të aritmologjisë në spitalin Careggi mund të vendosin te mesfushori një defibrilator kardiak nën lëkurë. Ky pajisje ndihmon në kontrollin e ritmit të zemrës dhe është rekomanduar sipas udhëzimeve ndërkombëtare për personat që kanë kaluar arrest kardiak të shkaktuar nga një aritmi që ka shkaktuar fibrilacion dhe ka kërkuar defibrilim. Gazeta shkruan se ndërhyrja për vendosjen e defibrilatorit, që kryhet me anestezi lokale, mund të realizohet që sot ose nesër. Me këtë pajisje, Bove mund të vazhdojë një jetë normale, por është ende herët për të thënë nëse ai do të mund të rikthehet në fushë. Në çdo rast, ai nuk do të mund të luajë në kampionatin italian. Rregulloret në Itali janë shumë të rrepta: për të marrë miratimin për aktivitet sportiv, duhet të kalojnë të paktën gjashtë muaj nga vendosja e pajisjes. Për më tepër, leja për lojtarët me defibrilator në Itali jepet vetëm për aktivitete me intensitet të moderuar dhe pa kontakte fizike, pasi pajisja mund të dëmtohet gjatë përplasjes me kundërshtarët.

sfidanti.al