Benzema bën paqe me arabët: Si mysliman në Mekë gjej paqe

Karim Benzema vendosi t’u japë fund të gjitha spekulimeve pasi përflitet prej disa muajsh se ai do të largohet nga klubi saudit Al-Ittihad. Ish-lojtari i Real Madridit së fundi është kthyer në Arabinë Saudite, ku iu bashkua skuadrës së tij dhe përmes një interviste për revistën GQ ka shpjeguar situatën e tij. Benzema duket se është shumë i lumtur me jetën në Arabinë Saudite, e cila u vu në pikëpyetje kur ai nuk u paraqit për fillimin e përgatitjeve të Al-Ittihad. “Ky është një vend i jashtëzakonshëm dhe unë jam në paqe këtu. Është një sfidë e re që më pëlqen, një projekt afatgjatë në një vend mysliman. Si musliman, kur jam në Mekë, ndjej paqe”, tha Benzema. Më pas ai ka pranuar se në Arabinë Saudite, përveç futbollistit, ndihet edhe si ambasador dhe qëllimi i tij është që t’i sjell yjet e tjerë nga Evropa në kampionatin arab. “Unë jam këtu për të sjellë lojtarë të mëdhenj evropianë në të ardhmen e afërt, megjithëse tashmë ka disa emra të mëdhenj. Sfida jonë është të ngremë nivelin e futbollit si në ligat evropiane. Për shumë njerëz, të kesh numrin nëntë në shpinë do të thotë të shënosh 50 gola në një sezon, por për mua do të thotë të jem një nga 11 lojtarët dhe duhet të bëj gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar skuadrën të fitojë”, shtoi ai.

sfidanti.al