Bakaj sfidon koronavirusin në Bjellorusi, por ultrasit mund të ndalin Premier Ligën!

Nëse të gjithë janë ndalur, ata nuk e kanë bërë. Trimëri apo çmenduri kjo pritet të shihet, por futbolli në Bjellorusi vazhdon, aty zbret në fushë edhe shqiptari Elis Bakaj, ndërsa jehona është e madhe në të gjithë Europën. E përditshmja spanjolle “Marka” dërgon gazetarin e saj në Minsk, por edhe në qytete të tjerë bjellorusë, dhe mes të tjerëve flet edhe me Bakajn.

“E dimë sesa e vështirë është që të luajmë tani, – thotë shqiptari, – por, duhet të tregohemi profesionistë, ndonëse e kuptojmë rrezikun. Përpara çdo ndeshjeje duhet të kalojmë teste të ndryshëm për koronavirusin, si dhe na masin temperaturën çdo dy ditë”. “Marka” shkruan se ka futbollistë që duan që liga të ndërpritet, ndonëse kjo gjë nuk ndodh.

Në të kundërtën, nën nxitjen e presidentit Aleksandër Lukashenko, duket se gjithçka do të vazhdojë, ndryshe nga çdo vend tjetër i Europës. Bakaj luan për Dinamon e Brestit, që është kampionia në fuqi, dhe skuadra që fitoi edhe Superkupën. Ekipi i shqiptarit ka një fitore dhe një barazim pas dy javëve të para të Premier Ligës së Bjellorusisë.

Gjithsesi, kampionati edhe mund të ndërpritet, ose të paktën ka përpjekje për ta bëjë. Lajmet janë që grupimet ultras të skuadrave të elitës do të nisin një fushatë kundër luajtjes së ndeshjeve, në mënyrë që të mbrohen tifozët dhe futbollistët nga virusi.

Sfidanti.al