Bajrami rikthehet të luajë me Rangers

Derbi i Glasgow mes Rangers dhe Celtic përfundoi pa gola. Të dyja skuadrat vinin pas eliminimeve të dhimbshme në play-off-et e Champions League: Celtic u mund në penallti nga kazakët e Kairat Almaty-t, ndërsa Rangers humbën 3-1 dhe 6-0 nga Brugge, dhe rezultati në Belgjikë rrezikoi pozicionin e trajnerit 39-vjeçar, Russell Martin.

Për më tepër, performanca e sotme e Rangers, të cilët u fishkëllyen nga publiku në fund të ndeshjes, e bëri pozicionin e trajnerit edhe më të pasigurt.

Në këtë ndeshje u aktivizua si zëendësues në minutën e 76-të në vend të Aasgaard mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Nedim Barjami, i cili as nuk ishte grumbulluar në disa ndeshje të këtij fillimsezoni nga trajneri Martin.

Nuk dihet nëse pas rikthimit të aktivitetit pas pushimeve të kombëtareve, ai do të mbetet ende në detyrë. Jo rastësisht, në këtë ndeshje morën pjesë presidenti i Rangers, Andrew Cavanagh, dhe përfaqësues të fondit amerikan 49ers Enterprises, që zotëron klubin, të cilët tani do të mblidhen për të vendosur për të ardhmen e menjëhershme.

Sa i përket Celtic, për herë të katërt radhazi nuk fitoi ‘Old Firm’, dhe rrezikoi ta humbiste nëse gjyqtari, pas konsultimit me VAR-in, nuk do të anulonte për pozicion jashtë loje golin e shënuar nga mbrojtësi i Rangers, John Souttar.

sfidanti.al