Bajrami drejt Arabisë Saudite

E ardhmja e Nedim Bajramit duket se mund të jetë larg Skocisë. Sipas raportimit të “The Sun”, Rejnxhërs është në bisedime me Al-Taawoun për huazimin e mesfushorit shqiptar.

Marrëveshja parashikon një huazim me opsion blerjeje, ndërsa klubi saudit do të mund ta transferojë përfundimisht Bajramin për shumën 2.5 milionë paundë. Mesfushori 27-vjeçar, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, po ndiqet edhe nga klube të tjera gjatë kësaj merkatoje. Megjithatë, Al-Taawoun duket se ka avancuar më shumë në negociata.

Bajrami nuk bën më pjesë në planet e Rejnxhërs, edhe pse ka ende dy vite kontratë me klubin skocez. Për këtë arsye, drejtuesit synojnë të përfitojnë financiarisht nga largimi i tij.

Nga ana tjetër, Al-Taawoun mund t’i ofrojë më shumë minuta dhe një rol të rëndësishëm në skuadër, pasi aktualisht ka vetëm pesë lojtarë të huaj në organikë, duke krijuar hapësirë për afrimin e shqiptarit.