Futbollisti Jasir Asani, në një rrëfim ndryshe për emisionin “PitStop” në Klan Maqedoni, flet për ndjenjat dhe emocionet e forta që kishte përjetuar gjatë karrierës së tij. Asani tregon se të qenit pjesë e Kombëtares së Shqipërisë është një ëndërr e plotësuar që kur ishte fëmijë. “Ftesa kur erdhi isha në Kore dhe dy ditë para normal nga gëzimi edhe qan e bën të pamundurën për çdo gjë sepse po të plotësohet ëndrra që nga fëmijëria që e ke pasur në Kombëtaren e Shqipërisë. Është një emocion i paparë sepse të vjen koha që ti të luash për atë fanellë shumë të rëndë, shumë emocion që të jep dhe me ato tifozë anembanë botës që vijnë. Sidomos në AirAlbania që kanë qenë ato tre ndeshjet më të vështira me Poloninë, Moldavinë dhe Çekinë që kemi fituar. Nuk mund ta përshkruash me fjalë, e paparë”.
I pyetur për grupin e shumëdiskutuar të njohur ndryshe si “Grupi i Ferrit” ku është Italia, Kroacia dhe Spanja, Asani duket mjaft optimist dhe me entuziazëm thotë se të gjithë ekipeve do t`u bëj gol. Ai gjithashtu shpreson se do të arrijnë të kalojnë grupin. “Do të doja një grup shumë të fortë si kjo që ta shohim veten ku jemi dhe tu tregojmë gjithë botës sepse nuk kemi rastësi që jemi në Gjermani. Nuk kemi rastësi që kemi mundur Poloninë, Çekinë, Moldavinë të gjitha. Është mirë që jemi në vend të pare dhe unë mendoj se do bëjmë gjëra të mëdha pa marrë parasysh se çfarë kombëtareje do të kemi aty”, tha ai.
sfidanti.al