Argjentina ka mbërritur në Kansas City, Missouri, për t’u përgatitur për mbrojtjen e titullit kampion bote, të fituar në 2022-shin në Katar. Avioni me kampionët e botës u ul në tokën amerikane të dielën, pas 11 orësh udhëtim nga Buenos Airesi.
Ndeshjen e parë Argjentina do të luajë kundër Algjerisë, më 16 qershor, në “Arrowhead Stadium”. Avioni, me të cilin udhëtuan futbollistët dhe stafi teknik kishte një dizenjo speciale, që tregonte historinë e Argjentinës në Botërorë, me numrin 10 të Lionel Messi-t në bishtin e tij.
Numri i fluturimit të charter-it të Aerolineas Argentinas ishte 1978, një homazh për Kupën e Botës 1978, që Argjentina e fitoi si vend organizator, duke mundur Holandën në finale, përpara 71.000 tifozëve në stadiumin e River Plate të Buenos Aires. Argjentina është e para nga katër skuadrat që do të kenë bazën e tyre në zonën metropolitane të Kansas City, që mbërrin në këtë vend. Anglia, Holanda dhe Algjeria do të mbërrijnë gjatë javës. Para nisjes së Kupës së Botës kampionët do të luajnë dy miqësore, kundër Hondurasit dhe Islandës.
sfidanti.al

