Media prestigjioze kroate “Telesport” ka publikuar 11-shen më të mirë të gjysmës së sezonit në HNL, ku një vend të veçantë zë edhe Arbër Hoxha, i përzgjedhur si anësori i majtë ideal i kampionatit. Fillimi i sezonit për shqiptarin nuk ishte aspak i lehtë. Në hierarkinë e Dinamos, Hoxha ishte fillimisht opsioni i tretë apo i katërt, pas emrave si Gabriel Vidović, Cardoso Varela dhe Luka Stojković.
Ai jo vetëm që u bë titullar i rregullt te Dinamo, por në një pjesë të sezonit ishte faktori kryesor që e “tërhoqi” skuadrën, duke kombinuar paraqitje të forta në kampionat me ndikim të dukshëm edhe në arenën evropiane. Momentet kulmore erdhën pikërisht në derbit kundër Hajdukut.
Në ndeshjen e parë, Hoxha ishte titullar në fitoren për tri pikë, ndërsa në përballjen e dytë shënoi në minutat shtesë për të ruajtur epërsinë dhe pozicionin e Dinamos në krye. Në një kampionat ku diferencat mes ekipeve janë minimale, këto gola dhe paraqitje kishin peshë të jashtëzakonshme.
Edhe pse ka ende hapësirë për përmirësim, “Telesport” thekson se ndikimi i Arbër Hoxhës në lojën sulmuese të Dinamos është i pakontestueshëm. Pikërisht për këtë arsye, ai është zgjedhur pa dilemë si anësori i majtë i formacionit të vitit, përpara emrave si Iurii Tavares, Ante Rebić apo Salim Fag Lawal.
Një vlerësim i madh për futbollistin shqiptar dhe një tjetër dëshmi se Arbër Hoxha po e fiton vendin e tij mes emrave më të spikatur të futbollit kroat.

