Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, doli para medieve pas publikimit të listës së fundit të grumbullimit për miqësoret ndaj Senegalit dhe Tunizisë, duke konfirmuar se grupi i tij për Kupën e Botës është pothuajse i mbyllur. Tekniku italian theksoi se tashmë ka krijuar një ide të qartë për bërthamën e ekipit dhe se pjesa më e madhe e lojtarëve që do të udhëtojnë në Botëror tashmë janë vendosur. “Sa më shumë kohë që kaloj me lojtarët, aq më afër jemi listës përfundimtare. Besoj se 17 ose 18 lojtarë janë të sigurt. Deri në qershor kemi ende kohë dhe gjithçka mund të varet nga dëmtimet. Në mars do të kemi më shumë qartësi”, theksoi Ancelotti. Neymar nuk është përfshirë as këtë herë, me trajnerin që zbuloi se nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta me ‘yllin’ e Santosit, i cili është në fazë rikuperimi pas një tjetër dëmtimi. Ndërkohë, rikthimi surprizë vjen nga Fabinho, i cili do të konkurrojë për një vend në mesfushë përkrah Casemiro-s. “Jam duke kërkuar një profil që përshtatet me Casemiron. Fabinho e ka përvojën dhe strukturën e duhur, ka luajtur në nivel shumë të lartë në Europë,” u shpreh italiani.
Lavdërime për Militão-n dhe roli i Richarlison-it
Ancelotti vlerësoi lart edhe Eder Militão-n, duke e cilësuar si mbrojtësin më të kompletuar të Brazilit, i aftë të luajë në tri pozita të repartit defensiv. Sa i përket Richarlison-it, tekniku e sheh si profil të domosdoshëm në vijën e sulmit: “Ai ka tipare të ndryshme nga João Pedro, Matheus Cunha dhe Vítor Roque. Richarlison është referencë klasike në zonë. Do të varet nga forma e tij, por ai mund të jetë pjesë e listës.” Lista finale, gati në mars. Ancelotti sqaroi se Brazili nuk do të bëjë një listë paraprake të zgjeruar: “Kur të nisë grumbullimi për Botërorin, do të kemi 26 lojtarë. Lista e parë do të jetë edhe lista finale.” Trajneri theksoi se marsi do të jetë momenti kyç për përmbylljen e zgjedhjeve, ndërsa miqësoret e ardhshme do të shërbejnë për përforcimin e ideve dhe testimin e fundit të lojtarëve, mes tyre edhe zbulime si Douglas Santos.
sfidanti.al

