Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është zotuar se Qeveria e tij do të bëjë investimin e plotë 200 milionë eurove për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit në Kosovë. Tashmë dihet se stadiumet në Kosovë nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme, madje ka plotë qytete anembanë vendit që nuk e kanë një të tillë që i plotëson kushtet elementare për lojë. Për këtë sipas Kurtit, do të investohet në qytete të ndryshme si Pejë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Malishevë, Ferizaj, Vushtrri, Kamenicë, Podujevë dhe Drenas.
Postimi i plotë i Kurtit:
“200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit. Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli. Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot. Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit. Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas. Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës. Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta”.
sfidanti.al