Zanetti: Mora shumë respekt kur lashë futbollin

Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ndau emocionet dhe kujtimet e tij gjatë një diskutimi në ‘Salone dei Cinquecento’, në Firence, ku u mbajt ceremonia e çmimit “Fair Play Menarini – Kampionët flasin”. Duke folur për vitet e tij në Itali, Zanetti tha:

“Gjërat më të bukura ishin respekti që mora nga të gjithë kur lashë futbollin. E kujtoj Paolo Maldinin, i cili tha se isha një kundërshtar i ndershëm: nuk do ta harroj kurrë. U dashurova me Interin që ditën e parë në ‘Appiano Gentile’, ku ishin Ottavio Bianchi dhe Massimo Moratti. Vija nga Banfield dhe Interi ma ndryshoi jetën. Vija nga një familje e varfër: nëna ime ishte punëtore shtëpie, babai im, murator. Nuk na mungonte asgjë, por në Argjentinë ishte një periudhë e vështirë. U rrita me ato vlera që më shoqëruan gjithë jetën.”

Zanetti gjithashtu kujtoi me dashuri kohën e kaluar duke punuar me babanë e tij:

“Ishte një nga momentet më të bukura. Luaja tek Independiente, por më thanë që nuk isha më pjesë e skuadrës, kështu që fillova të punoja me babanë tim për një vit. Më pas më tha të provova sërish me futbollin. Këto fjalë ishin vendimtare. Kalova provën në një ekip tjetër dhe atëherë njoha bashkëshorten time, e cila luante basketboll. U rritëm bashkë.”

Në fund, Zanetti foli për natën e lamtumirës së tij nga futbolli, një moment i paharruar:

“Isha 41 vjeç, dhashë gjithçka dhe ajo natë ishte shumë emocionuese. Në një çast më kaluan para 20 vitet me Interin, me të cilin do të kem gjithmonë një lidhje speciale. Futbollit nuk mund t’i kërkoja më shumë.”

 

sfidanti.al