Wolfsburg-u shkarkon trajnerin Paul Simonis

VfL Wolfsburg ka vendosur të ndahet me trajnerin holandez, Paul Simonis, vetëm disa muaj pas emërimit të tij në verën e vitit 2025. Lajmi u raportua nga mediat gjermane të dielën, pas një serie rezultatesh zhgënjyese që e kanë lënë skuadrën në krizë.

Simonis, 40 vjeç, kishte ardhur me shumë pritshmëri pas një sezoni historik me Go Ahead Eagles, me të cilët fitoi Kupën e Holandës, trofeu i parë madhor i klubit që nga vitet ’30. Megjithatë, aventura e tij në Bundesliga përfundoi shumë shpejt: vetëm dy fitore në 12 ndeshje, pesë humbje në gjashtë përballjet e fundit dhe eliminimi turpërues nga DFB Pokal nga skuadra e kategorisë së dytë Holstein Kiel.

Pavarësisht deklaratave të fundit të drejtorit teknik Sebastian Schindzielorz për “besim dhe bashkëpunim”, disfata 2-1 kundër Werder Bremen-it duket se ishte pika e fundit që mbushi kupën për Simonis. Vetë trajneri kishte pranuar pas ndeshjes se “kjo është ndoshta humbja më e vështirë e karrierës sime” dhe se nuk dinte asgjë për të ardhmen e tij.

Simonis kishte kontratë me Wolfsburg-un deri në vitin 2027, por performanca e dobët dhe mungesa e rezultateve e detyruan klubin të vepronte menjëherë. Për momentin, drejtuesit janë në kërkim të një zëvendësuesi të ri për të ringjallur skuadrën në Bundesligë.

sfidanti.al