Sulmuesi i Lajpcigut, Timo Verner, nuk e duroi dot “ferrin” që dinë ta krijojnë mjaft “bukur” tifozët turq, madje, as tamponët që ai vuri në veshë, nuk i mbaruan atij punë, kështu që ai u detyrua që të kërkonte të zëvendësohej dhe të largohej nga fusha!
Sulmuesi i talentuar 21-vjeçar kishte probleme me zhurmën e madhe të tifozëve turq që para ndeshjes, por, sidoqoftë, ai shtrëngoi dhëmbët dhe vendosi të luajë. Por, atmosfera e nxehtë në “Vodafon Arena” të Stambollit dhe tifozët mjaft të zëshëm të Beshiktashit filluan që t’i krijonin probleme Vernerit, kështu që ky i fundit u përfshi nga hutimi dhe humbi përqëndrimin. Ai, në disa raste, gjatë lojës, foli me mjekun dhe trajnerin te vija anësore. Fillimisht, ai kërkoi tampone për veshët, por duke qenë se ato nuk e ndihmuan, ai kërkoi që të zëvendësohej dhe u largua nga fusha në min. e 32-të. Ndeshja mes Beshiktashit dhe Lajpcigut përfundoi 2-0 në favor të ekipit turk.
Sfidanti.al