Tottenham, 150 mln. në merkaton e janarit

Tottenham po përgatitet për një merkato dimërore shumë ambicioze. Sipas tabloidit britanik ‘The Sun’, klubi londinez ka në dispozicion një fond prej rreth 150 milionë paundësh (afërsisht 172 milionë euro) për të investuar gjatë afatit kalimtar të janarit. Drejtuesit e Spurs kanë disa objektiva të qartë, me fokus të veçantë në krahun e majtë dhe përforcime në repartin defensiv.

Antoine Semenyo ishte emri kryesor në listë, por anësori i Bournemouth-it ka refuzuar interesimin e Tottenhamit, duke preferuar ofertat nga Liverpooli dhe Manchester City. Kjo situatë mund t’i hapë rrugë Spurs-ave për të rikthyer interesin ndaj Savinho-s, një objektiv që u shpëtoi gjatë merkatos së kaluar verore. Një alternativë tjetër serioze është Samu Aghehowa, lojtar i Portos dhe i drejtuar nga Francesco Farioli, me një vlerësim që sillet rreth 50 milionë paundëve.

Megjithatë, për shkak të dëmtimit të Destiny Udogie, prioriteti kryesor i Tottenhamit mbetet një mbrojtës i majtë. Kjo do të lejonte rikthimin e Spence në krahun e djathtë, pozicioni i tij më natyral. Menaxhimi i buxhetit do të jetë vendimtar, pasi një transferim i shtrenjtë për Savinho-n ose Aghehowa do të linte vetëm rreth 30 milionë paundë për përforcime të tjera në mbrojtje.

Trajneri Thomas Frank ka konfirmuar se klubi do të jetë aktiv në janar: “Pa dyshim që do të jemi në merkato. Duam përforcime sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të shohim nëse do të arrijmë t’i mbyllim marrëveshjet para 31 janarit.”